Prej sot zyrtarisht skuadrës rumune të UTA Arad, që garon në ligën e dytë i janë bashkuar edhe dy futbollistë të tjerë shqiptarë, njofton “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për dyshen Asani-Ajrullahu, të cilët iu bashkuan shkupjanit tjetër, Mevlan Adilit, i cili pjesë e kësaj skuadre është që nga viti i kaluar, kur nga rradhët e FC Shkupit u transferua te UTA Arad.
Po nga Shkupi te kjo skuadër u transferua edhe Bujamin Asani, si dhe një ish “bardhekaltër”, Izet Ajrullahu, të cilët besojnë se në sezonin e ri do të ndihmojnë skuadrën e tyre për të siguruar një vend në mesin e më të mirëve në futbollin rumun.
“Jam tepër i kënaqur që prej sot bashkë me mua do jenë edhe dy futbollistë tjerë shqiptarë te UTA Arad. Me Bujamin Asanin njihemi prej moti, pasi një kohë të bukur kemi luajtur bashkë. Njihemi shumë mirë mes vete, ashtu që besoj se do i ndihmojmë shumë njëri tjetrit. Gjithashtu njihem edhe me Izet Ajrullahun, mirëpo me këtë të fundit nuk kemi luajtur bashkë. Shpresojmë që gjithë së bashku të arrijmë suksese me skuadrën tonë” – tha nga Rumania për “infOSport.mk”, Mevlan Adili.