Renova të hënën startoi me fazën e përgatitjeve për sezonin e ri në elitën e futbollit vendor. Për dallim nga viti i kaluar, skuadra nga Xhepçishti në sezonin e ri do të udhëhiqet nga strategu maqedonas, Vlatko Kostov, një emër i njohur për “gjipspunuesit”, pasi nën drejtimin e tij Renova ka të fituar titullin e vetëm kampion nën historikun e saj.
Me Kostovin në krye, drejtuesit e Renovës besojnë ti rikthehen të paktën skenës ndërkombëtare, ndërsa për të arritur një gjë të tillë, me siguri se skuadrës i nevojiten edhe emra të rinj, që do plotësonin ato zbraztira që janë krijuar sidomos në mesfushë dhe sulm pas ikjes së Muhamed Useinit, i cili iu bashkua skuadrës së Flamurtarit nga Superliga Shqiptare dhe sulmuesit Stojanço Velinov, i cili iu bashkua skuadrës së Rabotniçkit.
Fazën e parë të përgatitjeve Renova do ta zhvillojë në Tetovë, ku do të qëndrojë deri më 07 korrik, ndërsa më pas është paraparë që skuadra të transferohet në Ohër, ku dhe do të zhvillojë disa ndeshje kontrolluese që do i shërbenin para startit të sezonit të ri futbollistik 2017/2018, që me shumë gjasa do të startojë me 13 gusht.