Futbollisti shkupjan, Enis Bardhi pa dyshim se ishte njëri ndër më të mirët te përfaqësuesja e Maqedonisë në kuadër të Evropianit për të rinj në Poloni. Ai ishte një lider i skuadrës së udhëhequr nga Bllagoja Milevski, duke shënuar 2 gola në 3 ndeshje, ndërsa me pak më shumë fat mund të shënonte edhe ndonjë tjetër.
Më shumë gola se Bardhi gjatë fazës në grupe kanë vetëm dy futbollistë, Bruma i Portugalisë dhe Marko Asensio i Spanjës. Megjithatë Bardhi ka dërguar më shumë goditje se çdo futbollist tjetër në kuadër të këtij Evropiani, ku Maqedonia në tre ndeshje të zhvilluara në kuadër të grupit “B”, regjistroi një barazim (2:2) ndaj Serbisë, si dhe dy disfata, një ndaj Spanjës (1:5) dhe një tjetër ndaj Portugalisë (2:4).
Megjithatë edhe përkundër këtij fakti Maqedonia tregoi lojë të mirë në këtë evropian, ndërsa tregues më i mirë janë edhe të dhënat statistikore që kanë të bëjnë me futbollistin më të dalluar të përfaqësueses shpresa, Enis Bardhi, që mban pozitën e parë kur janë në pyetje goditjet e lëshuara në drejtim të portave kundërshtare.
Bardhi ka goditur plotë 13 herë, edhe atë 7 herë brenda kuadratit, 4 herë jashta kornizave të portës, ndërsa në dy raste goditjet e tij ishin bllokuar nga futbollistët kundërshtarë.