Gianni De Biasi do të mbetet për shumë kohë pjesë e historisë së futbollit shqiptarë, në sajë të punës dhe rezultateve të arritura në rreth 5 vite e gjysmë që drejtoi Kombëtaren Shqiptare të futbollit.
Por e gjithë puna e tij në këtë periudhë ka patur edhe faturën më të lartë financiare, 1.8 milionë euro ka paguar Federata Shqiptare e Futbollit, që njëherit është dhe shifra më e lartë e paguar ndonjëherë që nga viti 2002 kur presidenti Duka ka vendosur të marrë një trajner të huaj në krye të kombëtares “kuq e zi”, njofton “top-channel”.
Rroga e De Biasit, nga 27 mijë euro në muaj në 4 vitet e para, gati u dyfishua kur arriti në 42 mijë euro në muaj në vitin e fundit. Rritje pagash pati i gjithë stafi, falë edhe kualifikimit në Europian.
Një shifër e tillë nuk është paguar asnjëherë në të gjithë historinë e trajningut shqiptar, për trajner vendas apo të huaj. Madje edhe paga e zëvendësit të De Biasit, Paolo Tramezzani, në vitin e fundit kur mori edhe postin e drejtorit teknik, u 5-fishua, nga 2 mijë euro në 4 vitet e para, në 10 mijë euro në muaj.
Kjo ka qenë edhe paga mesatare e të gjithë trajnerëve të huaj që kanë mbërritur në Shqipëri, nga viti 2002 me italianin Dosena, më pas gjermanët Brigel dhe Ari Haan, si dhe kroatët Oto Bariç dhe Josip Kuzhe, i cili drejtonte Shqipërinë para se ajo të merrej nga ana e De Biasit.
I vetmi që i është afruar disi rrogës së De Biasit ka qenë kroati Oto Bariç, rreth 20 mijë euro në muaj është paguar ai në vitet 2006-2007, duke marrë një shumë prej 300 mijë eurosh si trajner i Shqipërisë në 15 muaj që e udhëhoqi atë.
Edhe sa u përket shpërblimeve, De Biasi është absolutisht më i paguari. 30 mijë euro për një fitore në ndeshjet zyrtare dhe qindra mijëra bonuse për kualifikim në Europian apo për fitoren ndaj Rumanisë.
Të gjitha këto kapin shifrën e mbi 600 mijë eurosh në total, duke e çuar faturën e tij në këtë periudhë që drejtoi Shqipërinë në rreth 1.8 milionë euro, duke hyrë edhe në aspektin financiar në historinë e futbollit shqiptar.
Gianni De Biasi |
Periudha 2011-2015 |
Paga 27.000/ muaj |
Periudha 2016-2017 |
Paga 42.000 /muaj 12 muaj |
Bonuse 648.000 euro |
Totali 1.8 mln euro |
Giuseppe Dosena |
Periudha Prill 2002 – Tetor 2002 |
Paga 15 mijë euro / muaj |
Totali: 60 mijë |
Hans Peter Brigel |
Periudha 2002-2006 |
Paga 10.000 eruo/muaj |
Totali: 420.000 euro |
Otto Bariç |
Periudha 2006 – 2007 |
Paga: 20.000 euro/ muaj |
Totali: 300.000 euro |
Ari Haan |
Periudha 2008 – 2009 |
Paga13.000 euro / muaj |
Totali: 195.000 euro |
Josip Kuzhe |
Periudha: 2009 – 2011 |
10.000 euro / muaj 20 maj 2009 – 31 dhjetor 2011 |
Totali: 170.000 |