Shkëndija dhe Daçia, dy skuadrat që do të përballen njëra me tjetrën në turin e parë kualifikues të Liga Evropa në historikun e tyre në kampionatet përkatëse kanë vetëm nga një titull kampion të fituar. Dhe sa për informim, që të dyja skuadrat janë shpallur kampion në të njëjtin vit, vitin 2011-të.
Po në këtë vit që të dyja skuadrat kanë arritur që të rrëmbejnë edhe trofeun e SuperKupës, ndërsa për dallim nga Shkëndija që ka të fituar edhe Kupën e Maqedonisë, një gjë të tillë Daçia ende nuk e ka përjetuar, edhe pse në 4 raste ka luajtur në finale të Kupës së Moldavisë.
Daçia në ndeshjet kualifikuese të Liga Europa, asnjëherë nuk ka mundur të shkoj më larg se raundi i dytë, ndërsa për dallim nga moldavët, Shkëndija vitin e kaluar arriti deri në fazën e “play-off”, kur u eliminua nga skuadra belge e Gent.
Do të jetë hera e parë që këto dy skuadra do të takohen njëra me tjetrën në një ndeshje evropiane, ndërsa për Shkëndijën do të jetë hera e dytë që do të luaj ndaj një skuadre nga Moldavia.
Herën e parë Shkëndija kishte luajtur ndaj Zimbru në sezonin 2014/2015, duke regjistruar një fitore dhe një disfatë. Në Shkup Shkëndija kishte shënuar fitore 2:1, mirëpo në ndeshjen e kthimit ishte mundur me rezultatin 2:0, duke u eliminuar në këtë mënyrë që në raundin e parë.
Kësaj rradhe shpresojmë që gjërat të kenë ndryshuar dhe Shkëndija të vazhdojë më tutje edhe në raundin e dytë, ku e pret përballja me fituesin nga ndeshja Connah’s Quay Nomads nga Uellsi dhe Helsinkit të Finlandës.