Sonte përfaqësuesja shpresa e Maqedonisë në stadiumin “GOSiR” në Gdynia do të zhvillojë ndeshjen e saj të parë në kuadër të Evropianit për të rinj që po zhvillohet në Poloni, njofton “infOSport.mk”.
Kundërshtari i tyre është një super fuqi e futbollit evropian, Spanja, që është një ndër konkurrentët kryesor për të fituar titullin e kampionit.
Mirëpo pavarësisht emrit dhe përvojës që ka skuadra kundërshtare, Besir Demiri, njëri ndër futbollistët më standard te përfaqësuesja shpresa e Maqedonisë, beson se me një vetëbesim të plotë dhe një lojë të ngjashme siç treguan gjatë ciklit eliminatorë, Maqedonia në fund mund t’ia arrijë qëllimit që të nxjerr një rezultat pozitiv ndaj Spanjës.
“Po deri tani përgaditjet i kemi zhvilluar sipas planit. Sot na pret një ndeshje e vështirë dhe e rëndësishme. Ne edhe ndaj Spanjës do luajmë si në çdo ndeshje tjetër, këtë e kemi treguar edhe në ndeshjet eliminatore pavarësisht kundërshtarit. Ne luajmë futboll ofenziv, ashtu që edhe në këtë ndeshje do luajmë njëjtë, me shumë vetëbesim, që në fund të fitojmë ndeshjen” – tha Besir Demiri drejtpërdrejtë nga Polonia për “infOSport.mk”.
Ndeshja ndërmjet Maqedonisë dhe Spanjës starton në ora 20:45, ndërsa ndeshja e parë e ditës së dytë në kuadër të Evropianit, është ajo ndërmjet Portugalisë dhe Serbisë, po nga grupi “B”.