Bardhi: Spanja e fortë! Të luajmë ashtu si në ndeshjet eliminatore

Enis Bardhi pa dyshim se është njëri prej bartësve të lojës te përfaqësuesja shpresa e Maqedonisë, e cila sonte në Gdynia të Polonisë kundër Spanjës do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të Evropianit për të rinj.

Shkupjani Bardhi thotë se Spanja është një kundërshtarë i fortë, mirëpo nëse të gjithë bashkë japin maksimumin në fushë, atëherë gjërat mund të ndryshojnë, pasi futbolli është lojë e surprizave.

“Është një ndeshje mjaft e rëndësishme për ne. Luajmë me një kundërshtarë shumë të fortë. Besoj që të gjithë do të japim maksimumin në fushë dhe do të shohim si do të rrjedhin gjërat në fushë” – u shpreh fillimisht për “infOSport.mk” një ndër futbollistët më të mirë te përfaqësuesja shpresa e Maqedonisë, Enis Bardhi.

Për Maqedoninë U21 është kjo hera e parë që merr pjesë në një event kaq të rëndësishëm futbollistik ku luajnë 12 përfaqësueset më të fuqishme të Kontinentit të Vjetër. Mirëpo edhe përkundër këtij fakti Bardhi shprehet optimist dhe thotë se nëse përsërisin lojën e njëjtë sikurse në ndeshjet eliminatore, atëherë Maqedonia do të mund të shpresojë në sukses në kuadër të grupit “B”.

“Po është hera e parë që jemi këtu, besoj të gjithë ndihemi mjaft mirë pasi që vijmë këtu si të parët në grup edhe pse tash është mjaftë vështirë. Janë 12 ekipet më të forta në Europë. Besoj që nëse vazhdojmë të luajmë ashtu siç kemi qenë edhe më herët do të kemi sukses edhe në këtë grup” – u shpreh nga Gdynia e Polonisë për portalin tonë, Enis Bardhi.

Rikujtojmë përveç Maqedonisë dhe Spanjës, pjesë e grupit “B” janë edhe Portugalia dhe Serbia, ndërkohë një vend për në gjysmëfinale do të mund të sigurojë vetëm vendi i parë si dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë.

Leave a Reply