Si duket te FC Shkupi edicionin e ri futbollistik do të ketë një ndryshim të madh, sa u përket emrave të futbollistëve. Deri tani janë përfolur shumë emra për largimet e tyre, disa të realizuara e disa të mundshme.
Sulmuesi i krahut, Fatmir Arifi sapo ka përfunduar kontratën me klubin “bardhë e blu” nga Shkupi, dhe po synon një destinacion tjetër.
Këtë herë bëhet fjalë për një klub jashtë Maqedonisë. Burime të afërta me “infOSport.mk” pohojnë zërat se Fatmiri do ta vazhdojë karrierën në shtetin gjerman. Flitet për ligën e tretë, por akoma nuk ka asgjë zyrtare.
Gjithsesi ish futbollisti i Shkupit ka një kohë që ka oferta të shumta edhe nga Gjermania, Austria dhe Luksemburgu.
Djaloshi nga Shkupi, i njohur ndryshe me pseudonimin “Karllosi”, e ka parë të arsyeshme që të sfidojë veten në futbollin gjerman meqë kontrata e tij me Shkupin ka mbaruar në fund të sezonit 2016-2017.