Gjithçka është gati. Ka mbetur vetëm edhe prezantimi dhe njoftimi nga ana e drejtuesve të Shkëndijës për transferimin e armenit, Taron Voskanjan.
24-vjeçari do të përforcojë mbrojtjen e Shkëndijës, që ishte pika më e dobët sezonin e shkuar. Voskanjan sezonin e fundit me ekipin e Karmiotissa regjistroi 20 ndeshje kampionale dhe 8 në kuadër të Kupës.
Sukseset e tij më të mëdha Voskanjan i kishte arritur me skuadrën e Pjunik, me të cilën skuadër në sezonin 2014/2015 ishte shpallur kampion, tre vite rradhazi (2012/2013, 2013/2014, 2014/2015) kishte triumfuar në Kupën e Armenisë, ndërsa para se të largohej në drejtim të futbollit qipriot në sezonin 2015/2016, ai kishte ngritur lartë edhe Super Kupën.
Ai me përfaqësuesen e Armenisë kishte debutuar me 19 vjet, 8 muaj e 23 ditë, në ndeshjen miqësore të 14 nëntorit të vitit 2012-të, ndërsa që nga atëherë ai ka zhvilluar plotë 21 ndeshje, përfshirë këtu edhe ndeshjen e fundit eliminatore të përafqësueses së Armenisë kundër Malit të Zi të zhvilluar mbrëmë në Podgoricë.