Në këto momente në press qendrën e stadiumit të qytetit në Shkup është duke u zhvilluar konferenca për shtyp ku dy emra të njohur të futbollit evropian, Butragenjo dhe Saha po prezantojnë finalistët e Superkupës së Evropës, Real Madridin dhe Mançester Junajtedin.
Legjenda e Realit të Madridit, Emilio Butragenjo, tashmë është në rolin e drejtorit të klubit “mbretëror”, ndërkohë ish sulmuesi i Mançester Junajtedit, Lui Saha, aktualisht është një ndër personat kryesor te skuadra me më shumë trofe në Angli.
Butragenjo është një ndër emrat më të mëdhenj në plejadën e ikonave të futbollit që kanë luajtur ndonjëherë me fanellën e Realit të Madridit.
Ai me ekipin madrilen ka fituar 6 tituj kampion në La Liga, si dhe dy herë ka ngritur lartë Kupën e UEFA-s.
Në anën tjetër Lui Saha me “Djajtë e Kuq” ka fituar tre herë Premierligën, ndërsa gjithashtu ka fituar edhe titullin e Kampionit të Evropës.
Në këtë konferencë për shtyp që po zhvillohet në këto momente, edhe Butragenjo edhe Saha besojnë se me 08 qershor ekipet e tyre do të zhvillojnë një super ndeshje, nga e cila i kënaqur do të dalë edhe publiku në Maqedoni, i cili për herë të parë do të jetë nikoqir i një eventi të këtillë shumë të rëndësishëm nën ëmbrellën e UEFA-s. Ata kanë respekt për njëri tjetrin, ndërsa besojnë se në fund fitues do të dalë skuadra që do luaj futboll më të mirë.
“Ata në dy finalet e fundit treguan se kanë futbollistë shumë të mirë dhe vetëbesim. Kur flasim për Kristiano Ronaldon, ai çdo herë dëshiron më shumë. Reali i Madridit është në epërsi. Këtë verë duhet të pushojmë, të motivohemi, pasi kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë” – tha përfaqësuesi i Mançester Junajtedit, Luis Loren Saha.
Në shenjë respekti sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Filip Popovski që të dyve u dhuroi fanellën e përfaqësueses së Maqedonisë.
Finalja e Superkupës së Evropës në program është me datë 08 gusht në “Telekom Arena” me fillim në ora 20:45.