Izair Emini mund të rikthehet te Shkëndija. Ka qenë vetë futbollisti tetovarë që ka njoftuar një gjë të tillë për “Panorama Sport”, duke pohuar se mes ofertave që kanë arritur në adresën e tij është edhe një nga ish klubi i tij, Shkëndija.
Aktualisht Emini është pjesë e kampionëve në fuqi të Shqipërisë, Kukësit, por që ende nuk ka vendosur nëse do vijojë të qëndroje te kjo skuadër edhe sezonin e ardhshëm, por siç edhe thotë ai vetë, ende drejtuesit e klubi verilindor nuk e kanë kontaktuar për të biseduar në lidhje me rinovimin e kontratës.
Sulmuesi tetovar është nën kontratë edhe për Europën me Kukësin, ndërkohë që gjatë kësaj periudhe do të mendojë edhe për të ardhmen e tij, e cila si duket lidhet me atë “kuq e zi”.
Rikujtojmë Emini ishte pjesë e asaj gjenerate të artë të Shkëndijës, kur në sezonin 2010/2011 u shpallën kampion të Maqedonisë.
Duke pasur parasysh se një gjë të tillë bëri edhe me Kukësin, duke u shpallur kampion, ndoshta një rikthim i tij te Shkëndija do të bënte që titulli kampion të rikthehet në Tetovë, pasi Emini tashmë ka fituar epitetin e një kampioni, ku vetëm brenda dy viteve të kaluara te skuadra verilindore e Shqipërisë, fitoi tre tituj.
Ai përveç titullit kampion të fituar gjatë këtij sezoni, me Kukësin vitin e kaluar fitoi edhe Kupën e Shqipërisë, e më pas edhe SuperKupën.