Spanja e Hulien Lopetegit sot ndaj Maqedonisë do të zhvillojë ndeshjen e gjashtë eliminatore në kuadër të grupit “G”. Transferta e Shkupit është tepër e rëndësishme për “iberikët”, duke parë se Italia nga ana e saj ka një duel, të paktën në letër, shumë të thjeshtë kundër Lihtenshtejnit, prandaj fitorja ndaj Maqedonisë është një detyrim për Moratan me shokë.
Lopotegi nuk ka asnjë problem në lidhje me formacionin, përkundrazi ka luksin e zgjedhjeve, mirëpo ajo që tangon seleksionuesin spanjoll, është numri i madh i futbollistëve që kanë një karton të verdhë të mbartur.
Kjo do të thotë se në rast të një ndëshkimi të radhës në ndeshjen ndaj Maqedonisë, gjashtë prej tyre do të humbin ndeshjen e radhës kundër Italisë, e cila është programuar për t’u zhvilluar më datë 2 shtator 2017, në stadiumin “Santiago Bernabeu”. Futbollistët që rrezikojnë të mos paraqiten në ndeshjen ndaj “axurrëve”, janë qendërmbrojtësit Zherrard Pike dhe Serxho Ramos, mesfushorët Serxhi Buskets, Tiago Alkantara dhe Vitolo, si dhe bomberi Diego Kosta.