Seleksionuesi i Spanjës, Hulien Lopotegi u nda i kënaqur pas fitores që kombëtarja e tij e arriti sonte ndaj Maqedonisë në Shkup. Sipas tij Spanja e kishte arritur objektivin, pasi në Shkup kishin udhëtuar për të marrë tre pikët, gjë të cilën edhe e arritën në fund të takimit.
“Ne luajtëm një lojë të mirë kolektive. Arritëm objektivin dhe morrëm tre pikë. Luajtëm një pjesë të parë të shkëlqyeshme, ku mundëm të shënojmë edhe golin e tretë dhe të mbyllim gjithçka. Në pjesën e dytë kundërshtari luajti më mirë, por ashtu është futbolli nuk arritëm që ti shfrytëzojmë të gjitha rastet. Mirëpo në fund arritëm që të fitojmë dhe morrëm tre pikë mjaft të rëndësishme” – tha Lopotegi në konferencën për shtyp të organizuar për gazetarë.
“Më e rëndësishme ishte që të fitojmë tre pikë këtu, pasi ishte pak sa e komplikuar të fitojmë këtu. Tash vjen pushimi dhe ndeshja e radhës është me Italinë dhe besoj që do të luajmë një ndeshje të mirë edhe me ata” – përfundoi Lopotegi.