Zvicra falë dyshes shqiptare Xhaka-Shaqiri arriti që të shënojë fitore ndaj Ishujve Faroe në ndeshjen e xhiros së 6-të në grupin “B”, e vlefshme për eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”.
Zvicra shënoi fitore me rezultatin 2:0, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhte që kjo skuadër të shënojë edhe një fitore më bindëse, nëse futbollistët e tyre shfrytëzonin disa nga rastet e shumta që krijuan gjatë 90-të minutave lojë.
Një super aksion i nisur nga Admir Mehmedi në minutën e 36-të rezultoi me golin e parë të Granit Xhakës, i cili pas një kombinimi të dyfishtë që pati me Blerim Xhemailin, me një goditje precize nga distanca kaloi në epërsi Zvicrën.
Ky gol ishte valid deri në minutën e 59-të, kur në skenë doli Xherdan Shaqiri, që nuk gaboi dhe nga brendia e zonës shënoi për 2:0.
Falë kësaj fitore Zvicra vazhdon të kryesoj renditjen në grupin “B” me 18 pikë, tre më shumë se Portugalia e Kristiano Ronaldos që sonte në transfertë mundi Letoninë me rezultatin 3:0.
Ylli i Realit të Madridit realizoi dy gola, ndërsa asistoi në golin e tretë të shënuar nga Andre Silva.