Trajneri Ardian Nuhiu i cili me Shkupin arriti që të ruaj statusin e skuadrës elitare, gjatë ditës së sotme ka vazhduar kontratën me ekipin nga Çairi edhe për dy vite të tjera. Në këtë mënyrë strategu shkupjan do të ketë mundësinë që edhe në sezonin 2017/2018 të drejtojë Shkupin, skuadër kjo e cila beson se edicionin që vjen do të ketë një rol më ndryshe, si ai i sezonit të kaluar, kur vetëm përmes ndeshjes së balotazhit arriti që të sigurojë mbijetesën.
“Vazhdimi i kontratës të motivon edhe më tepër në punë, të jep një përgjigje nga presidenti i ri se të është vlerësuar puna e këtyre gjashtë muajve që isha trajner i parë. Është ndjenjë e mirë kur në një klub përveç se të vlerësojnë punën, bëjnë që të ndjesh edhe ngrohtësinë nga të gjithë në klub dhe rreth tij. Më vjen mirë për klubin, futbollistët publikun e Çairit dhe tifozerinë e flaktë “Shvercerat” që objektivi u arrit dhe klubi ynë edhe sezonin tjetër do të garojë në Ligën e Parë” – tha Ardian Nuhiu për faqen zyrtare të klubit.
Arsyeja e vazhdimit të kontratës nga ana e Ardian Nuhiut ka qenë besimi në projektin e përpiluar nga ana e drejtuesve të rinj, me në krye presidentin, Omer Bunjaku, i cili ka premtuar edhe futbollistë të rinj në skuadër.
“Besoj shumë në këtë projekt të ri dhe pres që të rritet niveli dhe cilësia. Që tani më duhet të njoftoj se jemi në bisedime me disa futbollist që do të jenë përforcime në klub, të cilët do të plotësojnë disa pozita ku duhet të rrisim kualitetin e ekipit”, – u shpreh Ardian Nuhiu.