Arbitri bjellorus Aleksei Kulbakov do të ndajë drejtësinë në ndeshjen eliminatore midis Izraelit dhe Shqipërisë.
37-vjeçari Kulbakov që nga viti 2006 është arbitër ndërkombëtarë, ndërsa mori pjesë edhe në Europianin e fundit në Francë, por vetëm si arbitër i katërt.
Dy ndeshjet e fundit ndërkombëtare që ka drejtuar ky arbitër, kanë qenë Moldavi-Serbi 0:3 dhe Gjeorgji-Austri 1:2. Një shenjë e mirë kjo, duke u nisur nga fakti se është arbitër me fat për skuadrat udhëtuese, në këtë rast Shqipëria.
Ndërkohë, mesatarja e tij është 3 të verdhë për ndeshje, kurse të kuqet janë me pikatore, pasi në 86 ndeshje vetëm 10 herë e ka nxjerrë kartonin në fjalë. Gjithashtu, akordimi i 11-të metërshave është i vështirë për bjellorusin, që ka akorduar 6 të tillë në karrierën e tij si ndërkombëtar.
Ndihmës të Kulbakov në ndeshjen e 11 qershorit midis Izraelit dhe Shqipërisë (20:45h) do të jenë Dimitri Zhuk dhe Oleg Maslianko, ndërkohë arbitër i katërt do të jetë Denis Sherbakov.