Bota e futbollit në zi, ndërron jetë ish futbollisti i Njukasëll Junajted

Ish futbollisti i Njukasëll Junajted, Shejk Tiote ka ndërruar jetë përderisa ishte duke u stërvitur me skuadrën e tij, Pekin Enterprajsis. Ai për një çast nuk ishte ndjerë mirë dhe i kishte rënë të fikët, me ç’rast me shpejtësi ishte dërguar për në spital, ku mjekët vetëm se kishin konstatuar vdekjen e tij.

Me shumë gjasa arsyeja ka qenë sulmi në zemër. Më 21 qershor Tiote do të festonte ditëlindjen e tij të 31-të.

Futbollisti nga Bregu i Fildishtë, karrierën e tij profesionale e kishte nisur gjatë vitit 2005, te skuadra belge e Anderlehtit. Pjesë e shumë herë kampionëve të Belgjikës, ai ishte deri në vitin 2008-të, ku gjatë kësaj periudhe një vit kishte kaluar si i huazar te skadra holandeze e Roda.

Në periudhën nga viti 2008 deri në vitin 2010 Tiote ishte pjesë e Tuentes, për tu transferuar më pas në Angli te skuadra e Njukasëll Junajted, pjesë e së cilës ishte deri në vitin 2017-të. Në muajin shkurt skuadra nga “Sent Xhejms Park” vendosi që ta shesë atë në Kinë te skuadra e Pekin Enterprajses.

Sheik Tiote me përfaqësuesen e Bregut të Fildishtë ka zhvilluar 52 ndeshje, ndërsa me ekipin e Njukasëll Junajted, ku edhe kishte kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij, ai kishte zhvilluar më shumë se 150 ndeshje.

Leave a Reply