Zajazi mund Goblenin, më afër Ligës së Dytë

Skuadra e Zajazit ka shënuar fitore në ndeshjen e parë të balotazhit për inkuadrim në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, duke mundur Goblenin nga Kumanova me rezultatin 2:0, njofton “infOSport.mk”.

Ishte kjo ndeshja e parë e zhvilluar midis skuadrave që pretendojnë të sigurojnë një vend për në Ligën e Dytë – Perëndim, ku në garë është edhe skuadra e Labunishtës, që sot ishte e lirë.

Ekipi i Zajazit sot në përballjen ndaj Goblenit, të zhvilluar në Gostivar, ishte skuadër dukshëm më e mirë, ndërsa dominimin e tyre e kurorëzuan me dy gola të shënuar, nga një në secilën pjesë.

Golin e parë për ekipin kërçovar e realizoi Vladrin Mustafa, ndërsa goli i dytë mban firmën e Leutrim Dushkut.

Kjo fitore favorizon shumë Zajazin, që ndeshjen e dytë do ta zhvillojë më datë 07 qershor kundër Labunishtës.

Me fitore eventuale në ndeshjen e së mërkurës, Zajazi do të siguronte një vend për në Ligën e Dytë – Perëndim, duke theksuar se edhe barazimi ndaj skuadrës strugane mund ti kryente punë.

Në ndeshjen e fundit mes skuadrave që pretendojnë të inkuadrohen në Ligën e Dytë – Perëndim, me datë 10 qershor do të përballen Labunishti dhe Gobleni, kur edhe përfundimisht do të mësojmë emrin e skuadrës së dytë që do ngjitet një kategori të garave më lartë.

Leave a Reply