Qatip Osmani sezonin e ri futbollistik do të udhëheq Shkëndijën, skuadër ku kishte kaluar momentet e tij më të bukura si futbollist, por edhe si trajner.
Dhe kur është në pyetje një bagazh i këtillë, nuk kishte se si mos të vërehet edhe nga njeriu i parë i Shkëndijës, Lazim Destani, i cili nuk i ka lënë asgjë rastit, dhe pasi morri punët në duart e tij, gjëja e parë që bëri, ishte emërimi i legjendës në krye të skuadrës “kuq e zi”.
A ka gabuar, apo jo pronari i Shkëndijës, një gjë të tillë i’a lëmë kohës që të tregoj, mirëpo që ka bërë hapin e parë dhe që ka gëzuar gjithë atë armatë të tifozëve “kuq e zi”, kjo është më se e vërtetë, pasi te tetovarët tashmë ka rilindur shpresa se Qato është ai i cili mund të rikthejë titullin e kampionit në Tetovë.
Dhe realisht pse jo. E bëri një gjë të tillë në sezonin 2010/2011 me futbollistë më pak të paguar dhe më pak ndoshta të afirmuar asaj kohe, ndërsa tash kur pas vetes ka një sponzor gjigandë dhe një njeri si Lazim Destani, që deri në pikën e fundit është i gatshëm gjithnjë për ti plotësuar kërkesat e stafit dhe futbollistëve, atëherë vërtetë shpresat që kanë lindur në mesin e tifozëve të Shkëndijës mund të bëhen realitet.
Megjithatë paraprakisht Qatip Osmani do të ketë një detyrë tjetër, ndoshta paksa edhe të vështirë.
Numri një i bankinës së Shkëndijës do të duhet të përsëris suksesin e Bruno Akrapoviç në Liga Europa, kur vitin e kaluar kjo Shkëndijë arriti deri në fazën e “play-off”.
A është në gjendje për të bërë një gjë të tillë Qatip Osmani? Një gjë e tillë pa dyshim se do të varet edhe nga merkatoja e verës, e cila tashmë është hapur edhe zyrtarisht dhe që veçmë kanë filluar zërat oër emrat e parë që mund ti bashkohen Shkëndijës, që aventurën e saj europiane e fillon me 29 qershor.