Golden Stejt ka fituar sot mëngjes finalen e parë të “play off-it” në NBA, duke mundur me lehtësi 113-91 kampionët në fuqi të Klivlend Kavaliers (35-30, 25-22, 33-20, 20-19).
Pjesa e parë ishte thuajse e barabartë me Golden Stejt që gjithnjë kontrollonte epërsinë, skuadër kjo e cila në pjesën e dytë luajti edhe më mirë duke shtuar epërsinë nga çasti në çast, që në fund rezultoi me 22 pikë dallim.
Kevin Durant ishte basketbollisti më i mirë i takimit, duke realizuar 38 pikë. Ai thjesht ishte i papërmbajtshëm në parket, një lider i padiskutueshëm, ndërsa nuk mungoi edhe ndihma e Stefan Kerit, që ndeshjen e mbylli me 28 pikë e 10 asistime.
Në anën tjetër si zakonisht u dallua LeBron Xhejms, që realizoi 28 pikë, derisa Irving dhe Love shtuan edhe 24, gjegjësisht 15 pikë.
Ishin të pakta këto pikë në ndeshjen e parë finale për ti bërë ballë skuadrës së Golden Stejt që e nisi me këmbë të mbarë serinë finale, duke udhëhequr 1-0. Edhe ndeshja e dytë do të luhet po në parketin e Golden Stejt, që deri më tani në të gjitha takimet e “play off-it” nuk ka pësuar asnjë disfatë.