Ish-drejtori i Juventusit, Luçiano Moxhi nënshkroi një marrëveshje 3-vjeçare me klubin e Partizanit për të qenë në rolin e këshilltarit të presidentit Demi. Dhe kjo po jep rezultate menjëherë, pasi italiani është vënë në kërkim të prurjeve të reja te skuadra nga kryeqendra shqiptare.
Sipas asaj që raportojnë mediat shqiptare, Moxhi ka arritur marrëveshje me 6 futbollistë, të cilët të hënën pritet të mbërrijnë në Tiranë.
Bëhet fjalë për 5 uruguajanë dhe një kamerunas. Ky i fundit ka qenë pjesë e Juventus, ku ka luajtur me skuadrën B të “bardhezinjëve”.
Kamerunasi dhe 3 uruguajanë do të firmosin direkt, ndërsa sipas “Sport Ekspres” dy të tjerë do të jenë në periudhë prove.
Kupat e Europës do të shërbejnë për të parë edhe më mirë cilësitë e afrimeve të Luçiano Moxhit. Megjithatë puna e tij nuk do të ndalet këtu. Ai po punon për të sjellë të tjerë lojtarë në klubin e kuq dhe pas konsultimeve me stafin.