Besa fiton Kupën, përfiton Prishtina

Besa e Pejës është fitues i “Digitalb Kupës” së Kosovës në futboll, pasi në finalen e madhe të zhvilluar në “Riza Lushta” në Mitrovicë mposhti Llapin, edhe atë vetëm pas ruletit të penaltive pasi ndeshja në kohën e rregullt dhe pas 120 minutave lojë u mbyll me barazimin 1:1.

Ndeshja e rregullt ishte jashtëzakonisht e bukur dhe të dyja skuadrat patën rastet e veta. Përkundër rasteve të dy golat e takimit u shënuan nga penalltia.

Diar Miftaraj i dha epërsinë Besës brenda pjesës së parë, teksa Festim Krasniqi barazoi me te filluar pjesa e dytë.

Deri në fund të dyja skuadrat tentuan për të shënuar golin e epërsisë, mirëpo nuk i’a arritën qëllimit ashtu që ndeshja shkoi në vazhdime dy herë nga 15 minuta, mirëpo duke mos gjetur sërish golin e shumë kërkuar, ashtu që në fund duheshe të vendosin penaltitë fituesin e Kupës për edicionin 2016/2017.

Këtu më të suksesshëm dolën futbollistët pejan, të cilët shënuan 4 nga gjithsej 5 penaltitë e ekzekutuara, ndërsa në anën tjetër te Llapi të saktë ishin vetëm dy futbollistë, ashtu që në fund me rezultatin 4:2 Besa doli fitues në ruletin e penaltive.

Mirëpo edhe përkundër faktit se Besa fitoi Kupën, skuadra pejane nuk do të mund të luaj në garat evropiane, pasi nuk kishte plotësuar kriterin e licencimit dhe për këtë në vend të tyre në eliminatoret e Liga Europa do të paraqitet skuadra nënkampione e Prishtinës.

 

Leave a Reply