Futbollistët e Juventusit do të kenë një motivim shtesë për ndeshjen finale të Ligës së Kampionëve Evropian kundër Realit. Presidenti i Juventusit, Andrea Anjelli ka vendosur t’u japë një shpërblim të majmë futbollistëve, në rast se dalin fitues në natën e 03 qershorit në “Millennium Stadium” të Kardifit.
Sipas medias italiane, shifra që do të përfitojë secili prej futbollistëve të “Zonjës së vjetër” është 350 mijë euro, apo 50 mijë euro më e lartë se ajo e bërë para dy vitesh për ndeshje finale të Berlinit.
Mirëpo është interesant fakti se edhe nëse Juventusi do të humbaste ndeshjen, futbollistët e kësaj skuadre do të kenë përfitime të mëdha ekonomike. Arritja në fazën finale të këtij kompeticioni u siguron atyre plot 270 mijë euro secili.
Në total, shifra e shpërblimit e akorduar në rast fitoreje të Ligës së Kampionëve Evropian, për Juventusin është 9.1 milionë euro.
Kjo shumë është e garantuar nga UEFA dhe sponsorët, ndërsa numri një i “bardhezinjëve” Anjelli vendosi që të njëjtën ta përdorë për të motivuar edhe më shumë skuadrën, për të sjellë trofeun më të rëndësishëm europian për klube në Torino, trofe ky të cilin për herë të fundit Juventusi e kishte fituar në vitin 1996 kur kishte mundur Ajaksin.