Duke filluar nga edicioni 2017/2018, Liga e Dytë Futbollistike e Maqedonisë do të garojë e ndarë në dy konferenca, atë të Perëndimit dhe Lindjes me nga 10 skuadra në përbërje.
Duke pasur parasysh se tashmë dihen të gjitha skuadrat që kanë siguruar një vend në mënyrë të drejtpërdrejtë, mirëpo edhe ato skuadra që do luajnë në ndeshjet e balotazhit, më poshtë ju sjellim foton se si do të duket Liga e Dytë Perëndim dhe ajo Lindje.
Në ligën e Dytë të Lindjes tashmë janë bërë të ditur 9 skuadrat që do garojnë, ndërsa mbetet që të zhvillohet edhe ndeshja e balotazhit midis ekipit të Sasa që bënte gara në Ligën e Tretë Lindje dhe skuadrës së Prevalec, pjesë e Ligës së Tretë Jug, pas së cilës ndeshje edhe zyrtarisht do mësojmë ekipin e 10-të që do ju bashkëngjitet edhe 9 skuadrave tjera, dhe që për opinionin janë shumë të njohura, me përjashtim të skuadrës së Plaçkovicës, pasi bëhet fjalë për skuadra që në të kaluarën kanë qenë pjesë e elitës së futbollit vendor.
Kësisoj në Ligën e Dytë – Lindje sezonin 2017/2018 do të garojnë, Bellasica, Bregallnica, Horizont Turnova, Tikveshi, Kozhuvi, Boreci, Osogova, Pobeda nga Valandova, Plaçkovica dhe fituesi nga përballja midis Prevalec dhe Sasa-s (zhvillohet vetëm një ndeshje).
Në rast se skuadra nga Makedonska Kamenica siguron një vend për në Ligën e Dytë, atëherë numri i skuadrave që më parë kishin garuar në Ligën e Parë, në konferencën e Lindjes do të shkoj në gjithsej 9 skuadra, një paralajmërim ky që sezonin e ardhshëm na presin ndeshje mjaft interesante.
Mirëpo i tillë duhet të jetë rasti edhe me Ligën e Dytë – PERËNDIM, ku deri më tash janë mësuar emrat e 7 skuadrave që do garojnë në këtë ligë.
Bëhet fjalë për skuadrat si Makedonija Gj.P., EuroMilku, Lokomotiva, Teteksi, si dhe për tre skuadrat shqiptare si Vëllazërimi dhe Gostivari dhe Struga Trim Lum, me këta dy të fundit që u ngjitën na liga e tretë.
Një vend tjetër është i rezervuar nga skuadra humbëse e dy ndeshjeve të balotazhit ndërmjet Novacit dhe Shkupit, ndërsa për dy vendet e tjera do garojnë tre skuadra, si Zajazi, Goblen Junior dhe Labunishta.
Që të tre këto skuadra do të luajnë ndeshjet e tyre në një fushë neutrale, edhe atë sipas sistemit në turne futbolli, secili me secilin, me ç’rast dy skuadrat e para do sigurojnë një vend për në Ligën e Dytë – PERËNDIM.