Mbrëmë në Strumicë në palestrën “Park Strumica” u zhvillua ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë në futsal midis aktualisht dy skuadrave më të mira në vend, Shkupit dhe Velesit, njofton “infOSport.mk”.
Ishte kjo një ndeshje e bukur për sy, ku në fund fitores iu gëzuan lojtarët e Velesit me rezultatin 6:3. Vendimtare në fitoren e tyre ishte pjesa e parë dhe paraqitja e tyre e shkëlqyeshme, ku shënuan plotë 4 gola në rrejëtn e Berat Jakupit.
Dy gola në këtë pjesë realizoi Igor Leovski, ndërsa nga një shtuan edhe Martin Todorovski dhe kapiteni Zoran Levevski.
Edhe pjesa e dytë nuk nisi mirë për ekipin e Shkupit, që pas 6-minutave lojë në këtë pjesë pranoi edhe golin e pestë që mbante firmën e Martin Todorovskit, ndërsa një gol tjetër për Velesin në pjesën e dytë shtoi edhe Igor Leovski, duke rrumbullaksuar “tripletën” e tij. Në anën tjetër golat për Futsal Shkupin i realizuan, Eljesa Neziri, Orhan Ibishi dhe Erkan Seferi.
Me këtë ndeshje edhe zyrtarisht u mbyll edicioni 2016/2017 në elitën e futsalit vendor, ku Shkupi u shpall kampion për herë të parë në historikun e vetë dhe do prezantojë Maqedoninë në ndeshjet e Ligës së Kampionëve Evropian, derisa Velesi doli të jetë fitues i Kupës.