28 maji 2011, dita kur Shkëndija festonte titullin kampion (FOTO+VIDEO)

28 maji i vitit 2011-të do të mbahet mend një kohë të gjatë për gjithë tifozët shqiptarë, e në veçanti ata të Shkëndijës, të cilët si sot 6 vite më parë festuan titullin e parë kampion dhe të vetmin deri më tani në historikun e tyre.

Ishte ajo ditë shumë madhështore, kur tribunat e stadiumit në Tetovë nuk mund të pranonin gjithë ata tifoz të interesuar për të ndjekur për së afërmi kampionët e rinj të Maqedonisë.

Ishte pa dyshim dita më e lumtur e skuadrës së Shkëndijës, që festoi “kuq e zi” me emra si Suat Zendeli, Sedat Berisha, Ferhan Hasani, Muhamet Useini, Ersen Sali….emra këto që përbënin boshtin kryesor të skuadrës në shumicën e ndeshjeve, përfshirë këtu edhe atë të xhiros së fundit kundër Metalurgut, ku Shkëndija, duke mos patur nevojë për pikë, bëri spektakël të papërshkrueshëm.

Mbi 16 000 spektatorë të pranishëm në tribuna, atmosferë e jashtëzakonshme, koreografi e paparë dhe gjithçka rreth e rrotull e bënë 28 Majin e vitit 2011 të paharrueshëm për të gjithë ata që e duan sportin dhe Shkëndijën.

Festa vazhdoi me orë të tëra edhe në sheshin e qytetit me një program të pasur artistik e me fishekzjarre.

Kryetar i klubit në këtë periudhë ishte Nuriman Shaqiri, Shef i stafit teknik – Qatip Osmani, ndihmëstrajner – Erhan Selimi, trajner i portierëve – Enver Ramadani, kapiten skuadre – Nebi Mustafi. Ndërsa, lojtarët e gjeneratës së Shkëndijës që e arritën këtë sukses historik ishin: Suat Zendeli, Adis Velii, Burim Guxhufi, Mexhit Neziri, Ilir Elmazovski, Xhelil Abdulla, Vladimir Nikitoviq, Sedat Berisha, Nebi Mustafi (c), Ardian Nuhiu, Ardian Cuculi, Izair Emini, Kemal Alomeroviq, Ferhan Hasani, Muhamed Useini, Ersen Sali, Valmir Nafiu, Marjan Mickov, Elmedin Rexhepi, Marian Bilbilovski, Bllagojçe Gllavevski, Jasir Selmani dhe Nasir Azizi.

Asaj kohe Shkëndija nuk pati një sponzor të fuqishëm si tani por tek futbollistët kishte një harmoni të madhe, që në fund u kurorëzua me titullin kampion. Tashmë kur Shkëndija pas vetes ka një sponzor gjigand, siç është “Ecologu”, nuk mund të bëjë një gjë të tillë…!!!Si duket drejtuesit e rinj duhet menduar se si të arrihet deri tek formula e sezonit 2010/2011, ku bazuar në emrat e lartëpërmendur, bie në sy numri i madh i futbollistëve shqiptarë, që vërtetë në çdo ndeshje jepnin atomin e fundit për ngjyrat “kuq e zi” që vazhdojnë të jena më të shtrenjtat ndër shqiptarët.

 

Leave a Reply