Gjenerata U19 e Shkëndijës ka festuar sot titullin e Kampionit për sezonin 2016/17. Të përzgjedhurit e Jeton Beqirit siguruan titullin matematikisht xhiron e kaluar, ndërsa sot me fitoren 9:1 ndaj Pelisterit mbyllën në mënyrën më të mirë kampionatin.
Për Shpresat e Shkëndijës ky ishte trofeu i dytë në histori të tyre, pasi për herë të parë fituan kampionatin në vitin 2010. “Kuqezinjët” zhvilluan një gjysmësezon pranveror të shkëlqyeshëm, duke shënuar 10-të fitore dhe 1 barazim në 11-të takimet në total, ndërsa vendimtare për titullin ishte fitorja 3:0 ndaj rivalëve të drejtpërdrejtë Vardarit në xhiron e 20-të.
Shkëndija U19 mbylli sezonin në maje të tabelës me 59-të pikë, ndërsa golashënuesi më i mirë i sezonit u shpall Shefit Shefiti me 24 realizime.
Ndryshe golat për fitoren e Shkëndijës ndaj Pelisterit i shënuan, Shefiti (2 gola), Agushi, Fazllagiq, Kasami, Çilafi, Bajrami dhe Shabani (2 gola), ndërsa golin e vetëm për skuadrën nga Manastiri e realizoi Munveski.