Vetëm një ditë pas kërkesës së presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan për të hequr shtojcën “Arena” nga objektet sportive në Turqi, skuadra e Galatasarajit është shprehur e gatshmë për të bërë një ndryshim të tillë.
Nga dita e hënë stadiumi “Turk Telekom Arena” do të emërohet vetëm “Turk Telekom”.
Argumentet e numrit një të shtetit turk, Erdogan, janë se fjala “Arena” është fjalë e huaj dhe përshkon me asocimin e arenave romake për gladiatorë.
Shumica e stadiumeve dhe palestrave sportive në Turqi përmbajnë shtojcën “Arena” pas emrit të sponzorit kryesor.
Pas këtij vendimi nga ana e drejtuesve të Galatasarajit për të aprovuar propozimin e presidentit të shtetit, Rexhep Taip Erdogan, mbetet të shihet reagimi i sponozrëve të huaj në Turqi, ndërsa një ndër ta pa dyshim se është “Vodafone”, që është sponzor gjeneral i skuadrës kampione të Turqisë, Beshiktashit.