Morata i thotë “PO” Milanit

Alvaro Morata ka pranuar ofertën e Milanit, njofton “Gazzetta dello Sport”, përcjellë “infOSport.mk”. Sulmuesi spanjoll i Realit të Madridit i ka thënë “PO” ofertës prej 7.5 milion euro në sezon nga ana e drejtuesve të rinj të Milanit.

Në rast se realizohet ky transferim, atëherë Morata do të jetë futbollisti më i shtrenjtë te skuadra nga “San Siro”.

Morata është dakorduar të kalojë në “San Siro”, ndërsa tashmë mbetet që “rossonerët” të gjejnë gjuhën e përbashkët edhe me drejtuesit e klubit “mbretëror”, mirëpo një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm pas finales së Kardifit me 03 qershor.

Morata ishte caku kryesor i drejtuesve të skuadrës “kuq e zi”, edhe pse dëshira e madhe e tifozëve të kësaj skuadre ishte Andrea Beloti i Torinos.

Trajneri i Milanit, Vinçenco Montella e pëlqen shumë sulmuesin 24-vjeçar të Realit dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse drejtori sportiv i “milanezëve” , Masimiliano Mirabelli kishte takuar agjentin e spanjollit, Huanma Lopez si dhe prindërit e Moratas, takim ky që në fund kishte rezultuar  shumë pozitiv.

Një takim i këtillë kishte ndodhur që para ndeshjes së parë gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve ndërmjet Realit të Madridit dhe Atletiko Madridit.

Nga tabori “kuq e zi” dëshirojnë që të mbyllin sa më shpejtë tratativat, pasi frikësohen nëse Florentino Perez mund ta ngrit shumën e transferimit të Alvaro  Moratas, i cili gjithashtu me shumë vëmendje përcillet edhe nga dy skuadrat gjigande angleze, Çelzi dhe Mançester Junajted.

Leave a Reply