Nuk ka kaluar pa provokime edhe këtë rradhë ndeshja miqësore bamirëse ndërmjet Crvena Zvezdës dhe Graçanicës, e zhvilluar në Graçanicë, dhe e cila u përshkua me mesazhe politike provokuese nga tifozët serbë.
“Kosova është zemra e Serbisë”, ka qenë mesazhi që tifozët e kanë shpalosur në miqësoren që u zhvillua të martën në Graçanicë, ndërkohë që u pa edhe harta e Kosovës dhe në mes të saj tifozët serbë, që po ashtu kanë bërë thirrje dhe brohoritje antishqiptare.
Rreth dy mijë shikues e kanë përcjellë ndeshjen në fjalë, ndërsa tifozët serbë nga Kosova i kanë mirëpritur heronjtë e tyre të gjigantit serb, Zvezda.
Drejtuesit e këtij klubi kishin marrë leje nga Federata e Futbollit të Kosovës për zhvillimin e kësaj ndeshjeje, sipas tyre bamirëse, por që zakonisht kthehet në politike, pasi nuk mungojnë transparentet provokuese.
FFK nga ana e saj e ka dhënë lejen me kusht që mos të ketë provokime dhe transparente që kanë prapavi politike, por më kot. Kjo është hera e tretë që Zvezda zbarkon në Kosovë për ta zhvilluar miqësoren me Graçanicën.