Naser Aliji si duket ka përfunduar aventurën e tij te skuadra e Kajzerslauternit në Bundesliga II. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare, duket shumë pranë kthimit në Zvicër, pasi karriera e tij te skuadra gjermane nuk po shkon ashtu siç e parashikoi edhe ai vetë.
Futbollisti kumanovar iu bashkua Kaizerslauternit gjatë verës së kaluar, pasi klubi gjerman pagoi 175 mijë euro për të blerë kartonin e tij nga Bazeli.
Megjithatë Aliji nuk arriti që të gjejë veten mirë të akomoduar te kjo skuadër, për të cilën në Bundesliga II gjatë këtij sezoni zhvilloi 22 ndeshje nga gjithsej 34. Në 15 prej tyre Aliji luajti që nga minuta e parë, ndërkohë në 7 ndeshje në lojë ishte inkuadruar si zëvendësim.
Mediat në Zvicër shkruajnë për një rikthim të tij në Superligën zvicerane, por kësaj rradhe jo te Bazeli, pasi skuadra që kërkon shërbimet e futbollistit kumanovar, është Cyrihu.
Këta të fundit edhe zyrtarisht sezonin tjetër do të luajnë në Superligë, me ç’rast që tani kanë filluar të kërkojnë përforcime të rëndësishme.
Pjesë e Cyrihut aktualisht është Burim Kukeli, një tjetër reprezentues shqiptarë, derisa kjo skuadër gjithashtu mban edhe kartonin e Armando Sadikut, që aktualisht në formë huazimi po luan te Lugano.