Sulmuesi i Atletiko Madridit, Antuan Griezman ka pranuar se mundësia që ai të kalojë në rradhët e Mançester Junajtedit gjatë merkatos së verës është shumë e madhe. Gjithçka rreth të ardhmes së tij do të vendoset brenda javëve.
Sulmuesi francez me “jorganxhinjët” ka kontratë deri në vitin 2021, ndërsa klauzola për largimin e tij është plotë 100 milion euro, një shumë e arritshme kjo për një klub si Mançester Junajtedi.
“E ardhmja ime do të vendoset brenda dy javëve. Mançester Junajtedi? Është e mundur. Mundësia që të kalojë unë në rradhët e tyre nga 1 deri në 10 është 6” – tha Griezman në një shou televiziv në Francë.
Transferimi i mundshëm i Griezman në “Olld Traford” nuk po pritet mirë edhe në vendlindjen e tij. Në një anketë të organizuar nga “L’equipe”, 59 përqind e të anketuarve kishin dhënë përgjigje negative, ndërsa vetëm 41% nuk e kishin kundërshtuar një transferim të tillë.
Megjithatë Griezman gjatë intervistës së tij përmendi se mundësia që ai të qëndroj te Atletiko Madridit, është më e madhe se ajo që të shkoj te Mançester Junajtedi. Ai e vlerësoi me notën 7 qëndrimin e tij te Atletiko, por duke potencuar njëkohësisht se gjithçka do të bëhet e ditur vetëm pas dy javësh. Ndërkohë zero janë gjasat që Griezman të kaloj në rradhët e Realit të Madridit, një skuadër tjetër e interesuar për shërbimet e sulmuesit francez.
“Është e pamundur. Është njëjtë sikurse të zëvendësosh Lionin me Sente Etienin. Ajo është një ndeshje e madhe derbi, absolutisht e pamundur” – tha sulmuesi francez.