Talenti i ri i Kmbëtares së Shqipërisë, Eros Grezda, si duket gjatë merkatos së verës do të ndryshojë ambient, që në sezonin e ri të luaj në Liga Evropa. Sipas spekulimeve në media, Grezda që dy vitet e fundit ka qenë pjesë e Lokomotiv Zagrebit, gjatë merkatos verore mund t’i bashkohet shkupjanit Muzafer Ejupi te skuadra e Osijekut.
Osijeku i Ejupit përfundoi i katërti në tabelë, duke siguruar kështu pjesëmarrje në Liga Evropa. Në këtë situatë skuadra kroate është duke kërkuar futbollist cilësor për ta mbuluar repartin e mesfushës, ndërsa si objektiv të parë ka përzgjedhur Grezdën.
Sa i përket shumave që mund të paguajë Osijeku për të siguruar 22 vjeçarin “Kuqezi” nuk janë bërë të ditura, ndërsa vlera e kartonit të tij sipas “Transfermarkt” është 600 mijë euro.