Një ndër futbollistët më në formë shqiptarë nga Maqedonia që luajnë në Evropë, Enis Bardhi, shumë lehtë mund të ndodh që karrierën e tij ta vazhdojë në Bundesligën gjermane, njofton “infOSport.mk”.
Lajmin për portalin tonë e konfirmoi edhe vetë menaxheri i futbollistit shkupjan, Meriton Berisha, i cili u shpreh: “Po është e vërtetë se ka interesim nga klube gjermane, por gjithçka konkrete do të vendoset vetëm pas kampionatit Evropian”.
Nga biseda që zhvilluam, mësuam se bëhet fjalë për skuadrat e njohura si Borusia Dortmund dhe Shtutgart, që u rikthye në Bundesligë. Këto dy skuadra një kohë më të gjatë ndjekin Enis Bardhin, ndërsa së fundmi skautë të këtyre skuadrave bashkë me menaxherin Miroslav Steviq, ishin në Hungari për të ndjekur talentin shqiptarë për së afërmi.
“Ishim bashkë në dy ndeshjet e Enis Bardhit me Ujpeshtin e tij. Bashkë me Steviq dhe skautë të skuadrave të Dortmundit dhe Shtutgartit ndoqëm ndeshjet kundër MTK dhe Debrecen, ku Bardhi si zakonisht shkëlqeu, edhe pse skuadra e tij pësoi disfatë” – tha Berisha për “infOSport.mk”.
Enis Bardhi shënoi golin e vetëm në disfatën 2:1 të Ujpeshtit ndaj MTK-së, ndërsa rikujtojmë që shënoi edhe në ndeshjen e javës së fundit kundër Halladash, kur arriti që të mposht nga gjuajtja e lirë porierin legjendar hungarez, Kirali. Ishte ky goli i tij i 12-të këtë edicion me fanellën e Ujpeshtit, duke u renditur i treti në listën e golashënuesve në elitën e futbollit hungarez.
Bardhi në qershor bashkë me përfaqësuesen shpresa të Maqedonisë do të marrë pjesë në Evropianin U21 në Poloni, ku Maqedonia do të përballet me kombëtaret si, Serbia, Portugalia dhe Polonia.
Kujtojmë që disa ditë më herët, gjgandët kroat të Dinamo Zagrebit kishin shfaqur interesim për Bardhin, madje duke ofruar edhe 800 mijë euro për kartonin e tij, mirëpo drejtuesit e Ujpeshtit janë të bindur se Bardhi kushton shumë më shumë, ku me siguri se skuadrat gjermane janë të gatshme për të ofruar ndonjë shumë milionëshe.