Suad Sahiti më në fund iu është rikthyer terreneve sportive. Sahiti pas plotë pesë javëve ka zbritur në fushë, duke u aktivizuar në ndeshjen e fundit të xhiros së 34-të që skuadra e tij Rabotniçki e zhvilloi në Tetovë kundër Shkëndijës.
Numri 7-të i “romantikëve” u inkuadrua në lojë nga stoli, ndërsa u aktivizua në lojë në minutën e 62-të, kur Rabotniçki avansonte me rezultatin 2:0. Megjithatë deri në mbyllje të takimit Shkëndija falë golave të shënuar nga Marjan Rradeski arriti që të barazojë rezultatin, ndërsa shumë lehtë mund të ndodhte që të arrijë edhe deri tek fitorja, nëse kapiteni Ferhan Hasani shënonte nga pika e bardhë.
Për futbollistin kosovar të Rabotniçkit, Suad Sahiti epilogu përfundimtar i takimit është real.
“Ne kemi ardhur këtu për të luajtur një futbollt të bukur, të nxjerrim një rezultat pozitiv, që të arrijmë objektivin tonë që është vendi i tretë që sjell Evropën. Kemi mundur edhe të fitojmë, 2:0 kemi avansuar në pjesën e parë, por ky është futbolli. Kemi pasur raste, Shkëndija është një ekip shumë e fortë, mirëpo rezultati është i realt dhe jemi të kënaqur”, është shprehur Suad Sahiti.
Kujtojmë Sahiti kishte lënduar thembrëm e këmbës së majtë në ndeshjen e javës së 27-të, ndaj Bregallnicës, ku shënoi edhe dy gola, ndërsa duke mos e marrë me shumë seriozitet lëndimin, ai luajti edhe në xhiron e radhës ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, ku edhe më shumë e përkeqësoi gjendjen.
Pas këtij takimi, Sahiti mbeti jashtë fushave, ndërsa rikuperimi i tij i plotë zgjati deri ditën e djeshme, kur Sahiti u aktivizua ndaj Shkëndijës.