Pritje madhështore, ashtu siç e merituan ju kanë bërë lojtarëve të Futsal Shkupit drejtuesit e klubit të futbollit FC Shkupi, futbollistët e kësaj skuadre si dhe tifozët e tyre “Shvercerat”, njofton “infOSport.mk”.
Ata sot u mirëpritën në stadiumin e Çairit, para fillimit të ndeshjes kampionale midis Shkupit dhe Bregallnicës, ku morrën duartrokitjet e merituara nga ana e tifozëve të pranishëm në stadium, e në veçanti nga tifo grupi “Shvercerat”, të cilët edhe mbrëmë ishin lojtari i 6-të i tyre në palestrën “Enver Idrizi” në përballjen direkte për titullin e kampionit kundër Velesit.
Futsal Shkupi barazoi 3:3 në ndeshjen e mbrëmshme, rezultat ky që u mjaftoi atyre për tu shpalllur kampion për herë të parë në historikun e tyre.
“Ju uroj ekipit të Futsal Shkupit titullin e kampionit. Shpresojmë që në të ardhmen edhe klubi ynë i futbollit të madh të arrijë suksese të tilla” – tha nënkryetari i FC Shkupit, Suat Alija në fjalimin e tij të shkurtër, përderisa heronjtë e Çairit, ata të Futsal Shkupit po parakalonin në fushën e stadiumit për të prezantuar para publikut trofeun e titullit kampion.
Është ky një sukses shumë i madh për këtë ekip të futbollit në palestër, i cili vetëm pas tre viteve themelim arriti që të shpallet kampion.
Rikujtojmë në sezonin 2014/2015 u shpallën kampion në Ligën e Dytë, duke u inkuadruar në mesin e më të mirëve në sezonin e ardhshëm, 2015/2016, ku arritën që të shpallen nënkampion, ndërkohë këtë vit ata u kurorëzuan edhe me titullin e kampionit.
Futsal Shkupi gjithashtu me datë 28 maj do të luaj edhe ndeshjen finale të Kupës, sërish ndaj rivalit kryesor, Velesit, ndeshje kjo që do të zhvillohet në Strumicë.