Besir Demiri dhe Erkan Seferi janë miq të vjetër, ndërsa miqësinë e tyre e shfrytëzuan sot për një kafe në Çarshinë e bukur të Shkupit. Edhe pse luajnë me klube të ndryshme, madje tashmë edhe në sporte të ndryshme, kjo nuk u pengon atyre për të kaluar çaste bashkë, si në kohërat kur që të dy luanin bashkë te ekipi i FC Shkupit.
Besir Demiri dhe Erkan Seferi kishin luajtur bashkë para 4 viteve, kur me Shkupin garonin në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë. Demiri me Shkupin arriti që të ngjitet edhe në Ligën e Parë, ndërkohë Seferi vendosi të braktis futbollin në bar dhe ti bashkohet atij në palestër.
Që të dy këtë vit patën fatin të shpallen kampion me skuadrat e tyre. Besir Demiri me Vardarin e tij u shpallën kampion në elitën e futbollit vendor, derisa Erkan Seferi u shpall kampion me ekipin e Futsal Shkupit. Si duket që të dy sot kanë festuar këtë arritje të madhe, duke pasur parasysh se për të dy është ky titulli i parë kampion…!