Shkupi i hakmerret Bregallnicës, vazhdon ëndërra për mbijetesë të drejtpërdrejtë (VIDEO)

Shkupi i është hakmarrë skuadrës së Bregallnicës për disfatën e fundit në Shtip, duke ja kthyer huan me të njëjtën kamatë, njofton “infOSport.mk”.

Të përzgjedhurit e trajnerit  Ardian Nuhiu sot në stadiumin e Çairit shënuan fitore 3:0, njëjtë sikurse ajo e 05 prillit të arritur nga Bregallnica, duke shtuar edhe më shumë shpresat për mbijetesën e drejtpërdrejtë në elitën e futbollit vendor.

Të tre golat “bardhekaltërit” nga Çairi i realizuan në pjesën e dytë. Muaream Bajrami hapi serinë e golave të shënuar në këtë ndeshje me golin e realizuar në minutën e 62-të, ndërkohë vetëm 8 minuta më pas Jasir Asani realizoi edhe golin e dytë, kur me një goditje të fuqishme me të majtën e tij edhe për herë të dytë mposhti portierin mysafir.

Golin e tretë dhe të fundit në këtë ndeshje e realizoi Filip Janevski dy minuta para fundit të takimit, kur nga distanca shënoi një super gol, duke e mbyllur në mënyrën më të mirë këtë ndeshje.

Shkupi pas 34 javëve me 36 pikë renditet në pozitën e 8-të, derisa Bregallnica me 21 pikë renditet një pozitë më poshtë dhe që nga sezoni i ardhshëm do të luajë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.

Leave a Reply