Asani: Ndaj Bregallnicës mendojmë vetëm për tre pikë

Shkupi të dielën në Çair do të zhvilloj ndeshjen e javës së 34 përballë Bregallnicës, njofton “infOSport.mk”.  Të përzgjedhurit e trajnerit Ardian Nuhiu nuk kanë të drejtë për të gabuar, pasi çdo rezultat tjetër pos fitores do ua vështirësonte atyre edhe më shumë rrugën drejt mbijetesës.

Skuadra “bardhekaltër” është stërvitur gjatë gjithë javës dhe me optimizëm pret këtë ndeshje, ku të gjithë janë të mendimit se vetëm fitorja do tu japë mundësi dhe shpresë për pikërisht në këto tre ndeshje të fundit të sigurojnë mbijetesën në mënyrë të drejtpërdrejtë, duke i ikur balotazhit.

“Nuk kemi alternativë tjetër përveç se të fitojmë, tri ndeshjet e fundit për ne janë finale pas finales dhe do të mundohemi të japim më të mirën nga ne. Kemi dëshmuar se jemi ekip që mundë të kthehemi në momente të vështira. Padyshim se kishim momente të vështira që përcollën ekipin edhe me lëndime të disa futbollistëve, por thjesht nuk guxojmë të gabojmë. Kemi punuar me përkushtimin më të madh që në duelin ndaj Bregallnicës të marrim tri pikë që të vazhdojmë betejën deri në javën e fundit për të siguruar mbijetesën. Për ne asgjë nuk ka marrë fund, janë në lojë edhe nëntë pikë dhe deri në fund gjithçka është e mundur. E di që përkrahja e tifozëve tanë nuk do të mungojë, andaj u bëj ftesë “Shvercerave” dhe të gjithë fansave tjerë që të vijnë në numër sa më të madh, që së bashku të tejkalojmë këtë sfidë”, – ka thënë Jasir Asani për sajtin zyrtarë të klubit nga Çairi.

Ndeshja Shkupi – Bregallica luhet të dielën me fillim në orën 16:30 në stadiumin e Çairit në Shkup, dhe  e njëjta do të drejtohet nga arbitri Dimitar Meçkarovski.

Leave a Reply