Shkëndija e Tetovës ka reaguar me komunikat zyrtare për çështjen e tërheqjes së Abdylmenaf Bexhetit nga posti i presidentit të klubit. Sipas tyre, tërheqja e Bexhetit nuk ka të bëjë me rezultatet e fundit të skuadrës tetovare. Sipas tyre Bexheti ka kërkuar më herët largimin nga klubi, për shkak të angazhimeve të shumta në kompaninë ‘Ekolog’ dhe në jetën private, ndërsa në mungesë të hapsirës kohore për t’u përgjigjur kërkesave, ai përsonalisht është tërhequr nga aktivitet e klubit para 6 muajve.
Më poshtë mund ta lexoni komunikatën e plotë të klubit Shkëndija:
“Përmes kësaj komunikate duam të njoftojmë publikun se vet- tërheqja e presidentit të klubit z. Abdylmenaf Bexheti nuk ka të bëjë me rezultatet e ekipit, pasi shkaku i angazhimeve të shumta në kompaninë “Ecolog” dhe në jetën e shoqërore, në mungesë të hapsirës kohore për tu përgjigjur kërkesave, tani më 6 muaj ka kërkuar të lirohet nga përgjegjësitë në klub.
“Lidhur me informacionet e publikuara në disa mediume, ku thuhet, “Pas finales së Kupës së Maqedonisë kanë ndodhur ndryshime në kryesinë e klubit dhe ndryshim në postin e kryetarit të KF Shkëndija“, dëshirojmë të sqarojmë opinionin se:
Ndryshimet në strukturën udhëheqëse të KF Shkëndija, duke përfshirë edhe pozitën e kryetarit të klubit, nuk kanë të bëjnë me rezultatet e fundit të skuadrës dhe disfatën në finalen e Kupës. Rikonstruimi i udhëheqësisë ka filluar në vjeshtë të vitit të kaluar, më saktë në tetor dhe që atëherë kryetari i deritashëm Bexheti është tërhequr nga aktivitetet e përditshme në klub ndërsa nga fillimi i vitit ai i ka ndërprerë aktivitetet plotësisht. Pjesa formale, pra procedura e ndërrimit të drejtorit ekzekutiv/presidentit, në Regjistrin Qendror të RM-së është realizuar më 11 prill 2017. Publiku i gjerë do të informohej lidhur me ndryshimet që po ndodhin në menaxhment dhe në stafin teknik, sapo të përmbylleshin procedurat e formalizimit të tyre tek institucionet përkatëse zyrtare.
Me këtë dëshirojmë t’i hedhim posht të gjitha spekulimet ose keqinterpretimet në media ku aludohet se ndërrimi i kryetarit vjen tash si rrjedhojë e rezultateve jo të kënaqshme të skuadrës, sidomos pas dështimit për marrjen e trofeut në finalen e kupës.
Në periudhën e ardhshme udhëheqësia e Shkëndijës do t’i ndërmarrë të gjitha aktivitetet dhe masat e duhura që klubi t’i rrumbullakojë të gjitha ndryshimet e planifikuara për ta nisur në formë të kompletuar stinorin e ardhshëm. Lidhur me këto hapa dhe aktivitete opinioni do të informohet me kohë”.