Ka vazhduar seria e fitoreve e skuadrës së Rinisë në Ligën e Parë Hendbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra shkupjane pas dy fitoreve të njëpasnjëshme në një interval kohor prej më pak se 24 orëve ndaj Strugës dhe Partizanit, sot arriti të regjistrojë edhe fitoren e tretë me rradhë, duke mundur në transfertën në Shtip ekipin e Tekstilec me rezultatin 24:21 (13:9).
Ishte kjo edhe një super ndeshje tjetër nga djelmoshat e trajnerit Muhamed Ismaili, që në këtë mënyrë shtojnë shpresat e tyre për në Superligë.
Falë fitores së sotshme Rinia tashmë ka 37 pikë, vetëm 4 pikë më pak se Vardar 2 në pozitën e dytë, skuadër kjo që në këto momente po zhvillon ndeshjen derbi të javës kundër liderit aktual, Mladostit nga Bogdanci.
Ndryshe më i merituar për fitoren e sotshme në Shtip te Rinia ishte Adis Ssaliu me 8 gola të shënuar, ndërsa nuk mungoi edhe ndihma e kapitenit të skuadrës, Basri Latifi, i cili si një lider i vërtetë ndihmoi skuadrën e tij për të regjistruar fitoren e 12-të në kampionat, nga gjithsej 17 ndeshje të zhvilluara.
Përveç tyre te Rinia me lojë të mirë u dalluan edhe Borjan Stojanovski dhe Orhan Emini që shënuan nga 4 gola, derisa te skuadra vendase më të spikatur ishin Vase Petrov dhe Filip Nikolov që gjithashtu ndeshjen e përfunduan me nga 4 gola të shënuar.
Javën që vjen Rinia në teren vendas do të mirëpret GRK Tikvesh 2014, ndërsa deri në mbyllje të sezonit skuadra nga Çairi do të përballet edhe me Makedonija Gj.P si mysafir si dhe me Vardar 2 në teren vendas, ku edhe mund të vendoset se cila prej këtyre dy skuadrave do ti bashkohet Mladostit për në Superligë.