FC Struga ka shkruar historinë sot, duke u kualifikuar për në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë, njofton “infOSport.mk”. Skuadra e cila u themelua vetëm dy vite më parë, sot edhe zyrtarisht u shpall kampion në Ligën e tretë Jugperendim, duke u ngjitur sërish një rang të garave më lartë.
Vitin e kaluar FC Struga garonte në Ligën e Katërt, ku doli kampion absolut, duke u kualifikuar për në Ligën e Tretë, ku sërish i’a arriti qëllimit që të shpallet kampion.
FC Struga pas 26 xhirove në Ligën e Tretë Jugperëndim tuboi 59 pikë, duke lënë pas vetes Labunishtin me 56 pikë.
Skuadra strugane sot në ndeshjen e javës së fundit mundi Prespën në transfertë me rezultatin 4:2, falë golave të shënuar nga Zija Merxhani, Veton Hani, Eugen Xhila dhe Flamur Tairi.
Ishte kjo fitorja e 17-të në kampionat për FC Strugën, që pas 26 xhirove ka pësuar vetëm një disfatë, ndërsa në 8 ndeshje kishte luajtur baraz. Disfatën e vetme FC Struga e kishte pësuar më 20 nëntor të vitit 2016-të në transfertën ndaj Sateskas.