Punës së mirë dhe kualitative nuk ka si mos i’a shohish hajrin. Shembull klasik është ai i Jeton Beqirit, trajnerit aktual të skuadrës së juniorëve (U 19) të Shkëndijës së Tetovës me të cilët lufton për titullin e kampionit në Super Ligën e Maqedonisë për seniorë. Ecuria e shkqyeshme para se gjithash në dy rastet kur ishte trajner i parë i Shkëndijës (një herë pasi u shkarkua Ardian Kozniku dhe së dyti pas largimit të Bruno Akrapoviçit) kur të dy herët grumbulloi më shumë pikë se Vardari për ndeshjet që drejtoi ekipin, puna e mirë si ndihmës trajner, tani si udhëheqës i juniorëve të Shkëndijës, por edhe paraprakisht arritjet me Dritën e Bogovinës dhe Gostivarin si duket sjellin frute të reja për Beqirin.
Një muaj deri në fund të sezonit aktual kur ekipet ngadalë fillojnë të mendojnë për merkaton për sezonin e ri, emri i Beqirit mbetet ndër më të lakuarit në media dhe opinion. Pas zërave se Qatip Osmani do të merr drejtimin e Shkëndijës, mendohet se pikërisht Jeton Beqiri shihet si zëvendësim i tij në pankinën e Renovës.
Mirëpo ky është vetëm një supozim, pasi në horizont shfaqen edhe të tjera pista interesante për teknikun e ri tetovar. Burime të afërta me Beqirin konfirmojnë se Flamurtari i Vlorës tani me 6 muaj insiston ta bëjë të vetin. Logjika është shumë e thjeshtë! Beqiri kishte bashkëpunim të shkëlqyeshëm me trajnerin aktual të Flamurtarit, Shpëtim Duron në dy periudha të tij te Shkëndija dhe tani tekniku tiranas e don ta ketë tetovarin bashkëpuntorë të parë te ekipi vlonjat.
Nëse në janar kjo lëvizje nuk u realizua, mendohet bisedimet të intensifikohen në verë kur mbase mund të arrihet akordi. Dhe kjo s’është e tëra, pasi në adresë të Beqirit kanë arritur dy oferta nga klube të Super Ligës së Kosovës. Vlerësimi për të është në shkallë të lartë dhe skuadra që pretendojnë kreun besojnë qëllimet ti arrijnë me Beqirin në pankinë.
Deri sa ofertat vijnë thuajse nga gjithë anët, Beqiri vazhdon të bëjë atë që din më së miri, stërvit skuadrën U 19 të Shkëndijës që kërkon titullin e kampionit. Verën e kaluar ai refuzoi të merrte drejtimin e Sileksit të Kratovës para ndeshjeve në Liga Evropa, ndërsa mbetet për tu parë ku do të përfundojë këtë verë, pasi alternativat janë të shumta dhe atij i mbetet vetëm të bëjë zgjedhje. Ndoshta ka ardhur koha të largohet nga Maqedonia, për të provuar diçka të re në Shqipëri apo Kosovë!?/“InfOSport.mk”