Ndeshja finale e Kupës së Maqedonisë, ndërmjet Pelisterit dhe Shkëndijës po afron, ndërsa FFM dhe skuadrat respektive po bëjnë përgatitjet e fundit para finales së 17 majit që do të zhvillohet në Strumicë.
Por paralelisht me ta, përgatitjet e tyre pa dyshim se janë duke i bërë edhe tifo grupet e këtyre dy skuadrave, “Ballistët” e Shkëndijës dhe “Çkembari” të Pelisterit. Megjithatë që të dyja këto grupe e kanë pranuar shumë rëndë lajmin se Federata e Futbollit për skuadrat e tyre ka ndarë nga vetëm 300 bileta, që është skandal në vete.
Në finalet e çdo kompeticioni Europian apo Botëror, por edhe në shumë vende të tjera qofshin ato evropiane, apo nga Ballkani, dy skuadrave finaliste ju ndahen nga 30% të biletave të kapacitetit të stadiumit, ndërsa 40% e biletave të tjera nxiren në shitje për publikun neutral, apo për mysafirët special që ftohen nga Federatat.
Në rast se një gjë të tillë do të respektonte edhe Federata e Futbollit të Maqedonisë, bazuar në kapacitetin që ka stadiumi “Mladost” në Strumicë, 6 500 ulëse, i bie që dy skuadrat finaliste të kishin marrë nga 1 950 bileta, ndërsa 2 600 biletat e mbetura, një pjesë e tyre do ishin nxjerrë në shitje, ndërsa pjesa tjetër do ishte për mysafirët special të ftuar nga ana e vetë Federatës.