Pas publikimit të videoskandalit, ka reaguar menjëherë Federata e futbollit të Shqipërisë, duke dënuar veprimin e fundit dhe njëkohësisht duke u distancuar nga veprimet e menaxherit Drini Çaushi.
Komunikata e plotë e FSHF-së:
“Federata Shqiptare e Futbollit dënon me forcë veprimin më të fundit të zbardhur në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për videon e bërë publike me tentativë, manipulimin e futbollistit të Partizanit Emiliano Vila. Personi në fjalë, që sipas videos quhet Drini Çaushi nuk rezulton të jetë pjesë e asnjë klubi, apo shoqate te futbollit shqiptar. Federata e Futbollit është e vendosur në luftën e saj për mbrojtjen e pastërtisë së lojës nga persona, apo grupe personash. Bashkarisht duhet të kontribuojmë në eleminimin plotësisht të fenomeneve te tilla, shumë të dëmshme për lojën dhe integritetin e garave. Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje dhe inkurajojmë, si lojtarin prezent në video, ashtu edhe klubin, që të denoncojnë këtë rast në organet kompetente hetimore për t’i shkuar deri në fund një rasti që kërkon zbardhje të menjëherëshme”, thuhet në komunikaten e FSHF-së.