Shkëndija bazohet në ADN-në e saj, kthen legjendat

Një javë para finales së Kupës së Maqedonisë ku Shkëndija do të kërkojë mbrojtjen e trofeut të fituar vitin e kaluar, lëvizje të rëndësishme te skuadra tetovare që paralajmërojnë kohëra më të mira. Largimi i trajnerit Tomas Brdariç dhe emërimi i Erhan Selimit si ushtrues i detyrës deri në fund të sezonit jep sinjale të qarta për rrugën që klubi mendohet të ndjek në të ardhmen, duke u bazuar në legjenda të saj.

Me ndryshimet në pankinë, në opinionin tetovar me të madhe flitet, madje disa e llogarisin punë të kryer rikthimin e Qatim Osmanit në taborin e Shkëndijës. Kapiteni legjendar, golashënues i shumë golave dhe trajneri i cili në vitin 2011 solli titullin e parë dhe të vetëm në historinë e Shkëndijës.

Deri sa për zyrtarizimin e Qato-s duhet pritur të paktën deri në fund të sezonit, sërish Shkëndija do të jetë në duart e një ish futbollisti dhe ish kapiteni të “kuqezinjëve”, Erhan Selimit. Duket se drejtuesit tetovarë janë të bindur për të lënë klubin në duart e atyre që më së shumti i’a dinë vlerën, pasi kanë dhënë, kanë luajtur dhe kanë fituar me Shkëndijën në të kaluarën, ndërsa sigurisht duhet të dijnë më së miri formulën për ta përsëritur këtë edhe në të ardhmen.

Përveç Osmanit dhe Selimit, kujtojmë që Shkëndija në përbërjen e saj tanimë ka numër të madh të ish-futbollistëve që kanë lënë shenjë në këtë skuadër, një pjesë e të cilëve në peridha të ndryshme kanë bartur shiritin e kapitenit.

Armend Elezi është trajner i portierëve, Festim Ademi është tim-menaxher dhe koordinator i të rinëjve, Vullnet Emini punon si skaut i ekipit, ndërsa në kategoritë e reja gjenden emra si Burhan Emrullai, Bashkim Arifi, Berat Imeri, Bekim Osmani që mbahen mend edhe nga më të rinjtë, apo ata të gjeneratave më të vjetra si Ibrahim Luma, Ejup Sulejmani, Zeni Arifi, Husein Kadriu e Enver Ramadani./”InfOSport.mk”

Leave a Reply