Vardari këtë fundjavë edhe përfundimisht siguroi titullin e 10-të kampion në historinë e futbollit vendor. Futbollistët shkupjan ishin superior në ndeshjen e së dielës ndaj Makedonija Gjorçe Petrovit, duke shënuar fitore me rezultatin e thellë 6:0, mirëpo edhe përkundër këtij fakti, ata në tribuna i përkrahnin vetëm dhjetëra tifoz. Vërtetë një gjë të tillë nuk e meritonin futbollistët e Vardarit, të cilët për momentin janë skuadra më e mirë në vendin tonë dhe njëherit skuadra me më shumë trofe.
Ata meritonin një qasje tjetër nga ana e tifozëve të tyre, të cilët edhe në momentet më të gëzueshme dhe me të lavdishme të skuadrës nuk ishin pranë tyre.
Ata nuk erdhën në stadium edhe përkundër thirrjeve nga ana e kapitenit Boban Grnçarov për të përkrahur skuadrën në ndeshjen e së dielës dhe për të festuar titullin e 10-të jubilar kampion, ndërsa paramendojeni nëse skuadra e tyre do të luftonte për mbijetesë, apo ndoshta të garonte një rang më poshtë të garave.
Mirëpo për dallim nga tifozët e Vardarit, “komitët”, provimin e tyre si duket kur janë në pyetje tifozët në tribuna e kanë kaluar “Shvercerat” e FC Shkupit dhe “Ballistët” e KF Shkëndijës.
Këto dy grupe asnjëherë nuk ndaluan së përkrahuri skuadrat e tyre edhe në momentet më të vështira, kur skuadrat e tyre garonin në ligat më të ulëta, ndërsa edhe tani kur janë pjesë e më të mirëve.
Se si duhet skuadra dhe si përkrahet, “komitët” e Vardarit do të duhet të marrin mësim nga këto dy grupe shqiptare, ndërsa gjithashtu edhe nga tifo grupi i Tikveshit, “Lozari”, të cilët fundjavën që lamë pas në Kavadar krijuan një atmosferë impozante në përballjen ndaj Vardar Negotinës, edhe përkundër faktit se skuadra e tyre po lufton për mbijetesë në Ligën e Dytë Futbollistike të Maqedonisë.
Ndërsa mësimin më të mirë se si duhet përkrahur skuadra e zemrës dhe si festohet një titull kampion, ata pa dyshim duhet ta mësojnë nga grupi i tifozëve “Ballistët”, të cilët thjesht e kishin ndezur Tetovën atë ditë të 28 majit të vitit 2015 në ndeshjen e fundit kundër Metalurgut.
Atë ditë në tribunat e stadiumit të qytetit në Tetovë prezent ishin plotë 16 000 tifozë, ndërsa atmosfera që krijuan “Ballistët” dhe tifozët tetovarë do të mbahet mend një kohë të gjatë.