Përfaqësuesja futbollistike e Maqedonisë deri në moshën 19-vjeçare ka mundur moshatarët e saj të Bullgarisë me rezultatin 1:0 në ndeshjen e parë nga gjithsej dy ndeshjet që duhet zhvilluar ndaj kësaj përfaqësuese në qendrën stërvitore “Petar Milloshevski” pranë Federatës së Futbollit të Maqedonisë në Shkup.
Jani Atanasov nga penaltia në minutën e 11-të realizoi golin e vetëm në këtë përballje, në të cilën Maqedonia pati edhe një rast tjetër të mirë për të dyfishuar rezultatin me anë të Trapanovskit, mirëpo goditjen e tij me kokë brenda 5 metërshit të tij, portieri bullgarë Shejtanov e ndali me një refleks të paparë.
Në anën tjetër Bullgaria që pati kontroll të topit më shumë gjatë gjithë ndeshjes rastin më të mirë e pati në minutat e para të ndeshjes përmes Emil Jançev.
Te Maqedonia në këtë ndeshje nuk u paraqit asnjë futbollist shqiptarë, pasi i vetmi futbollist i ftuar nga ana e trajnerit Vujadin Stanojkoviq, Agron Rufati, edhe pse morri ftesë, e njëjta u refuzua nga ana e klubit të tij, Lokomotivës së Zagrebit, për shkak se kjo skuadër ditë më parë zhvillonte një ndër ndeshjet vendimtare për titullin e kampionit kundër Dinamo Zagrebit, ku edhe ia arriti qëllimit.
Ndeshjen e tyre të dytë kontrolluese këto dy përfaqësuese do ta zhvillojnë të enjten në të njëjtën fushë me fillim në ora 11:00.