Rezultatet e dobëta dhe atmosfera jo pozitive brenda vetë ekipit mund ti kushtojnë me shkarkim trajnerit të Shkëndijës, Tomas Brdariç. Me strategun kroato-gjerman, Shkëndija jo që nuk arriti të shpallet kampion në Maqedoni, por përkundrazi humbi që më herët betejën me Vardarin, gjë kjo që nuk ndodhi edhe vitin e kaluar, kur “kuqezinjtë” nga Tetova deri në fund luftuan për titullin e kampionit.
E gjithë kjo mund të sjellë edhe te një ndarje e logjikshme mes kroato-gjermanit dhe Shkëndijës, drejtuesit e së cilës skuadër gjithçka pritet të vendosin nesër.
“Të mërkurën klubi do të del me komunikatë zyrtare! Këto lajme deri sa nuk konfirmohen janë spekulime. Të mërkurën ka takim kryesia dhe aty do të vendoset për ndryshime eventuale. Sot nuk ka asnjë zhvillim”, thonë nga KF Shkëndija.
Brdariç te Shkëndija erdhi në fillim të sezonit pranveror, atëherë kur Shkëndija kishte vetëm 4 pikë më pak se tashmë kampioni në fuqi Vardari, që këtë edicion siguroi titullin 4 javë para fundit të kampionatit me një epërsi prej 13 pikësh.
Brdariç në postin e trajnerit në atë kohë zëvendësoi Jeton Beqirin, i cili sërish mund të ulet në bankinën “kuq e zi”, ndërsa si emër tjetër që mund të zëvendësoj atë është edhe Erhan Selimi.
Njëri prej tyre pritet që të udhëheq Shkëndijën edhe në finalen e madhe të 17 majit, kur në Strumicë skuadra tetovare do të luftojë me Pelisterin për të mbrojtur këtë titull të fituar edhe vitin e kaluar.