Juventusi është finalisti i parë i Ligës së Kampionëve Evropian për sezonin 2016/2017, pasi në gjysmëfinalen e parë eliminoi ekipin e Monakos, njofton “infOSport.mk”.
Juventusi sonte mundi liderin e kampionatit francez me rezultatin 2:1, duke arritur kështu me stil për në finalen e madhe me rezultatin e përgjithshëm, 4:1.
Mario Manxhukiq shënoi golin e parë në rrjetën e Subashiq, edhe atë pas dy tentativave, pasi fillimisht bashkëkombasi i tij ndali goditjen me kokë të sulmuesit juventin, mirëpo jo edhe në rastin e dytë, kur i papenguar nga askush me këmbë shënoi për 1:0.
Goli i dytë ishte pjesë e brazilianit, Dani Alvesh, i cili lëshoi një predhë të vërtetë nga distanca, që gjeti të papërgatitur portierin e Monakos, duke bërë që pjesa e parë të mbyllet me rezultatin 2:0.
Në pjesën e dytë u shënua vetëm një gol, edhe atë nga ana e futbollistëve mysafir, kur Mbape nga afërsia shënoi për 2:1, duke vendosur në këtë mënyrë rezultatin përfundimtarë të këtij takimi.
Në finalen e madhe të 03 qershorit në Kardif, Juventusi do të përballet me fituesin nga përballja spanjolle, Atletiko Madrid – Real Madrid, me këta të fundit që në ndeshjen e parë krijuan një epërsi të madhe 3:0.